Stacioni i transferimit në fshatin Falisht / Foto: Lokal Aktiv
Përgjatë rrugëve, në ara, në hyrje të fshatrave dhe brenda vendbanimeve – deponitë e egra prej vitesh janë pjesë e pamjes së Rajonit të Pollogut. Në një vend grumbuj mbeturinash komunale, në një tjetër mbetje ndërtimore, e mes plehrave të shpërndara edhe kafshë të ngordhura. Veçanërisht shqetësues është fakti se një pjesë e grumbujve të mbeturinave janë krijuar pikërisht në vendet që ndërmarrjet komunale i kanë përdorur për transferimin e mbeturinave.
Autorë: Zoran Dimovski* dhe Lejla Beqiri**
Mbeturina komunale, mbetje ndërtimore dhe kafshë të ngordhura. Pamje e shpeshtë në Rajonin e Pollogut. Pamje e shpeshtë edhe në vendin e quajtur Korizë në Nerasht, në pjesën veriore të Pollogut, ku e nisim këtë rrëfim. Grumbujt e mbeturinave janë pjesë e një problemi më të gjerë, të cilin „Lokal Aktiv“ e dokumentoi përmes vizitave në terren, fotografive, xhirimeve dhe dëshmive në zonën e Tetovës dhe të Gostivarit.
Nga Nerashti, përmes vendndodhjeve mes Dobroshtit dhe Gllogjës dhe përgjatë rrugës Jegunovcë – Përshovcë, e më tej drejt Tetovës, Falishtit dhe Zhelinës, mbeturinat shfaqen anash rrugëve, arave dhe vendbanimeve. „Shëtitja“ jonë nëpër deponi përfundon në Rusino, deponinë rajonale ku duhet të përfundojnë mbeturinat komunale të mbledhura në mënyrë të organizuar.
Përgjatë këtij itinerari përsëriten dy situata: në disa vende mungon një shërbim funksional për mbledhjen e mbeturinave, ndërsa në të tjera mbeturinat grumbullohen sërish edhe pas pastrimit. Problem më vete janë vendet që vetë shërbimet komunale i kanë përdorur për transferimin e mbeturinave dhe ku kanë mbetur sasi të mëdha plehrash.
Nerasht: Mësime për ekologjinë, mbeturina në rrethinë
Në shkollën fillore „Ismail Qemali“ në Nerasht nxënësit mësojnë për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ndërsa në rrethinën e vendbanimit të tyre krijohen deponi të egra.
Abdulla Xhaferi, pedagog në shkollë, vlerëson se edukimi mjedisor duhet të shoqërohet me kushte për hedhjen e duhur të mbeturinave. Ai thekson se nevojiten mbledhje e rregullt, numër i mjaftueshëm kontejnerësh dhe shërbim i organizuar për mbeturinat e vëllimshme.
„Pollogu nuk mund të jetë një vend ku secili i hedh mbeturinat ku t’i teket. Pastërtia është kulturë dhe përgjegjësi qytetare“, thekson Xhaferi.
Sipas tij, detyrimet janë të ndërsjella: qytetarët t’i përdorin vendet e përcaktuara, ndërsa ndërmarrjet komunale të sigurojnë mbledhjen e rregullt të mbeturinave
Dobrosht, Gllogjë dhe rruga Jegunovcë – Përshovcë: Deponi jashtë rrugëve të fshatrave
Vendndodhjet e radhës të dokumentuara janë mes Dobroshtit dhe Gllogjës dhe përgjatë rrugës Jegunovcë – Përshovcë. Mbeturinat në këto vende tregojnë se pastërtia brenda vetë vendbanimit nuk e pasqyron plotësisht mënyrën se si menaxhohen mbeturinat e tij.
Pothuajse në të gjitha territoret e fshatrave të Komunës së Tearcës ka deponi të egra, të vogla, por edhe më të mëdha. Komuna deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa seriozë për pastrimin e deponive. Në vend të zgjidhjeve dhe aksioneve, pushteti lokal numëron deponitë dhe përllogarit sasitë e mbeturinave të grumbulluara.
„Pollogu nuk mund të jetë një vend ku secili i hedh mbeturinat ku t’i teket. Pastërtia është kulturë dhe përgjegjësi qytetare“
Abdulla Xhaferi, pedagog në SHF „Ismail Qemali“ – Nerasht
Sipas vlerësimeve të tyre, në nëntë vendbanime të komunës ka dymbëdhjetë deponi të egra. Thonë se në këto vende janë grumbulluar rreth 172.500 metra kub mbeturina, kryesisht inerte. Gjatë tre viteve të fundit janë rehabilituar pjesërisht tri vendndodhje, por mbeturinat nuk janë larguar – janë rrafshuar dhe mbuluar me dhe.
„Në Sllatinë, Tearcë dhe Dobrosht janë evidentuar nga dy vendndodhje me deponi të egra, ndërsa në Neproshten, Leshkë, Përshovcë, Gllogjë, Odër dhe Nerasht nga një. Këto të dhëna shërbejnë si bazë për përcaktimin e prioriteteve për ndërmarrjen e masave për pastrim, rehabilitim dhe parandalim të hedhjes së paligjshme të mbeturinave“, bëjnë të ditur nga Komuna e Tearcës.
Në komunë nuk ka pika grumbullimi për mbeturinat e vëllimshme. Për të parandaluar hedhjen e paligjshme të mbeturinave, Komuna e Tearcës dhe inspektorati komunal kanë vendosur tabela me mbishkrimin „Ndalohet hedhja e mbeturinave“. Për periudhën në vijim paralajmërojnë aksione për pastrimin e mbeturinave.
„Vendndodhjet e evidentuara me mbeturina do të përfshihen në aktivitetet e ardhshme për pastrim dhe rehabilitim, në përputhje me mundësitë financiare dhe operative të Komunës. Aktualisht, Komuna nuk ka një plan të posaçëm veprimi për pastrimin e deponive të egra, me afate kohore dhe buxhet të përcaktuar“, përgjigjen nga Komuna.
Sipas tyre, inspektorati komunal kryen rregullisht mbikëqyrje lidhur me hedhjen e paligjshme të mbeturinave dhe gjendjen e vendeve të ndotura, ndërsa gjatë dy viteve të fundit janë shqiptuar dy gjoba ndaj personave të kapur duke hedhur mbeturina në vendndodhjet përkatëse.
Edhe Zhelina pastron, por mbeturinat rikthehen sërish
Se pastrimi nuk nënkupton edhe zgjidhjen e problemit, e konfirmon Komuna e Zhelinës. Nga atje bëjnë të ditur se shumica e vendeve të pastruara mbushen sërish me mbeturina.
Mes tyre është edhe hapësira mbi postën kufitare të Erebinës, përgjatë rrugës Zhelinë – Siriçinë – prej vitesh një pikë e zezë mjedisore në këtë pjesë të Pollogut.
Komuna pohon se i pastron vendndodhjet e evidentuara dhe kryen kontrolle për të identifikuar personat që hedhin mbeturina në mënyrë të paligjshme. Si vështirësi përmend faktin se kjo ndodh shpesh natën ose gjatë fundjavave.
Në përgjigjen e dërguar nuk jepet një numër konkret i gjobave të shqiptuara, as ndonjë afat për zgjidhjen e problemit, të cilin Komuna e përshkruan si një proces të vazhdueshëm.
Aktivisti rinor Lorin Dervishi, themelues dhe koordinator i grupit joformal „Rinia e zëshme“, vlerëson se përsëritja e pamjeve të tilla mbart rrezikun që ndotja të bëhet pjesë e pranuar e përditshmërisë.
Sipas tij, të rinjtë kanë vetëdije për mjedisin jetësor, por edhe ndjesinë se angazhimi individual nuk sjell ndryshime konkrete kur mungon reagimi institucional.
„Problemi nuk zgjidhet vetëm duke pastruar sipërfaqen. Nëse pas disa javësh ajo kthehet sërish në të njëjtën gjendje, atëherë kemi trajtuar vetëm pasojën, e jo shkakun“, thotë Dervishi.
Mbi fushëgropë: Mbeturina edhe në zonën e mbrojtur të Sharrit
Problemi vazhdon edhe mbi vendbanimet e Pollogut, në Parkun Kombëtar „Mali Sharr“. Një përfaqësues i Institucionit Publik „Parku Kombëtar Mali Sharr“ bën të ditur se në rrethinën e pothuajse të gjitha fshatrave të banuara brenda kufijve të Parkut Kombëtar, rreth njëzet gjithsej, ka vende ku hidhen mbeturina. Si problematike veçohen Novosella dhe Vejca, si dhe fshatrat më të largëta, Gjerma, Bozovca, Veshalla dhe Brodeci. Mbeturina ka edhe në zonat turistike dhe ato me shtëpi pushimi, mes tyre Kodra e Diellit, Korita, Luboteni dhe Tri Ujërat.
Krahas mbeturinave komunale, Parku paralajmëron edhe për hedhjen e mbetjeve ndërtimore, në kushtet e rritjes së interesit për turizëm dhe rinovim objektesh.
„Me aksione vullnetare mund ta pastrojmë një vend të caktuar, por nëse nuk ka mbledhje dhe transport të organizuar të mbeturinave, ai shumë shpejt kthehet sërish në deponi“, bëjnë të ditur nga Parku Kombëtar.
„Me aksione vullnetare mund ta pastrojmë një vend të caktuar, por nëse nuk ka mbledhje dhe transport të organizuar të mbeturinave, ai shumë shpejt kthehet sërish në deponi“
Parku Kombëtar „Mali Sharr“
Nga atje shpjegojnë se nuk kanë makineri dhe personel për mbledhjen e rregullt të mbeturinave. Nga komunat kërkojnë shërbime komunale funksionale, ndërsa nga shërbimet e inspektimit kontrolle më aktive në terren.
Mbledhjen e mbeturinave në fshatrat e Sharrit që i përkasin Komunës së Tetovës e vlerësojnë si një hap të rëndësishëm. Për Bogovinën bëjnë të ditur se sistemi është ngritur pjesërisht, por deponitë përgjatë rrugëve tregojnë se ai nuk funksionon plotësisht.
Në Kodrën e Diellit, krahas mbeturinave të ngurta, mbetet edhe problemi i ujërave të ndotura, për të cilat nuk ka një sistem plotësisht funksional të grumbullimit dhe pastrimit.
„Qëllimi ynë nuk është t’i pastrojmë vazhdimisht të njëjtat deponi, por t’i eliminojmë shkaqet e krijimit të tyre dhe të parandalojmë ndotjen e ujërave“, theksojnë nga Institucioni Publik „Parku Kombëtar Mali Sharr“.
Metin Muaremi: Një fshat i pastër nuk do të thotë se problemi i mbeturinave është zgjidhur
Aktivisti qytetar Metin Muaremi paralajmëron se deponitë nëpër Sharr e shëmtojnë natyrën dhe e cenojnë potencialin turistik të rajonit. Si shkaqe kryesore përmend koordinimin e dobët mes institucioneve, mungesën e mbledhjes së organizuar të mbeturinave dhe mungesën e kushteve bazë në disa fshatra.
Stacionet e transferimit – nga zgjidhje komunale në male me mbeturina
Ndërsa në komunat rurale mbijnë deponi të egra, në Tetovë një pjesë e grumbujve të mëdhenj të mbeturinave janë krijuar në vende që i kanë përdorur vetë shërbimet komunale.
Hapësirat për transferim duhet të mundësojnë që mbeturinat nga automjetet më të vogla të kalojnë në automjete më të mëdha dhe të vazhdojnë drejt deponisë. Në rastin e Tetovës, me kalimin e viteve, qëndrimi i përkohshëm i mbeturinave është shndërruar në grumbullim të mijëra tonëve mbeturina në vende të papërshtatshme.
Një nga shembujt më të spikatur është vendndodhja në territorin e Falishtit. Gjatë vizitës së „Lokal Aktiv“, aty transferoheshin mbeturina të vëllimshme, por kishte edhe mijëra tonë mbeturina komunale që ende nuk janë pastruar.
Bujqit që takuam në rrethinë thonë se kjo gjendje i dekurajon të punojnë parcelat bujqësore.
Njëri prej tyre e përshkruan tokën si jashtëzakonisht pjellore, me Vardarin pranë dhe Sharrin sipër saj, por paralajmëron se mbeturinat e hedhura drejtpërdrejt në tokë paraqesin rrezik për tokën, ajrin dhe ujërat nëntokësore.
Dëshmia e tyre tregon pasojën e drejtpërdrejtë: dyshimin për sigurinë e prodhimit dhe humbjen e besimit te toka.
Nga Komuna e Tetovës nuk japin përgjigje nëse planifikojnë ta pastrojnë vendndodhjen me mijëra tonë mbeturina dhe nëse planifikojnë të gjejnë zgjidhje për një stacion të ri transferimi që do të funksiononte sipas normave mjedisore. Në vend që t’u përgjigjeshin këtyre pyetjeve, ata u mburrën me aktivitetet e inspektoratit komunal kundër hedhjes së paligjshme të mbeturinave.
Thonë se gjatë dy viteve të fundit kanë kryer më shumë se 100 kontrolle inspektuese për hedhje të paligjshme të mbeturinave.
„Një personi juridik i është shqiptuar një gjobë prej 18.000 eurosh, ndërsa janë shqiptuar edhe dy gjoba nga 800 euro. Personave fizikë u janë shqiptuar mbi 30 gjoba, por njëkohësisht janë dhënë edhe paralajmërime të shumta dhe janë zbatuar masa edukuese për shkak të informimit të pamjaftueshëm të një numri të madh qytetarësh“, bëjnë të ditur nga Komuna e Tetovës.
Ndërkaq, banorët që jetojnë pranë stacionit të transferimit në territorin e Falishtit reagojnë ndaj erës së pakëndshme nga mbeturinat e grumbulluara në stacion dhe kërkojnë pastrimin e tij. Ndërsa Komuna e Tetovës numëron gjobat për hedhjen e paligjshme të mbeturinave, ata pyesin se kush do ta gjobisë Komunën për ndotjen e mjedisit ku jetojnë.
„Komuna i gjobit qytetarët që hedhin mbeturina, por kush do ta gjobisë atë për këtë që po ndodh në stacionin e transferimit? Ne jetojmë këtu dhe e durojmë kundërmimin. Le t’i pastrojnë mbeturinat dhe të marrin përgjegjësi“, thotë një banor që jeton pranë stacionit të transferimit.
Vendndodhjet ndryshojnë, problemi mbetet
Transferimi i mbeturinave në Tetovë është zhvendosur ndër vite: nga afërsia e stacionit hekurudhor, te hyrja e qytetit, e deri te hapësirat pranë Treboshit dhe Falishtit.
Në vendndodhjet e mëparshme përsëriteshin probleme të ngjashme: mbeturina në tokë, grumbullime, reagime nga banorët dhe kërkesa për zhvendosje. Zjarri i madh i vitit 2017 tregoi më tej se çfarë pasojash mund të ketë qëndrimi i gjatë i mbeturinave.
As vendosja e një makinerie për transferim, e cila duhej të zvogëlonte kontaktin e mbeturinave me tokën, nuk e zgjidhi problemin. Defektet dhe ndërprerjet e punës krijonin sërish kushte për grumbullimin e mbeturinave.
Kështu, zhvendosja shpesh paraqitej si zgjidhje, ndonëse në thelb ndryshonte vetëm adresa e problemit.
Për më pak se dy vjet – Janë evidentuar 88 zjarre nga djegia e mbeturinave
Sipas të dhënave që na i dërguan nga Ministria e Punëve të Brendshme, në zonën e Tetovës dhe të Gostivarit gjatë vitit 2025 janë evidentuar 52 zjarre të shkaktuara nga djegia e mbeturinave dhe 36 zjarre të tjera gjatë vitit 2026.
„Në zonën e SPB Tetovë dhe të DPB Gostivar, gjatë viteve 2025 dhe 2026 janë raportuar raste të hedhjes së paligjshme të mbeturinave ose të krijimit të vendndodhjeve të paautorizuara për mbeturina, në 11 deponi të egra. Në vitin 2025 janë raportuar 52 zjarre të shkaktuara nga djegia e mbeturinave dhe në asnjë rast nuk është identifikuar dhe as sanksionuar autori. Në vitin 2026 janë raportuar gjithsej 36 zjarre të shkaktuara nga djegia e mbeturinave. Gjatë viteve 2025 dhe 2026, SPB Tetovë dhe DPB Gostivar kanë dorëzuar dy njoftime të posaçme, në formën e kallëzimit penal, kundër një autori të njohur për hedhje të paligjshme dhe djegie të mbeturinave“, bëjnë të ditur nga MPB-ja.
„Saubermacher“ mbledh dyfish më shumë: Ku përfundonin më parë mbeturinat që nuk mblidheshin?
Mbeturinat e Tetovës, që për një kohë të gjatë mbeteshin pranë kontejnerëve dhe hapësirave publike, tashmë për të tretin vit radhazi menaxhohen nga „Saubermacher“, kompani sllovene për menaxhimin e mbeturinave, e cila ka lidhur kontratë për partneritet publiko-privat (PPP) me Komunën e Tetovës. Pamja në terren tregon se në Tetovë është bërë një hap përpara drejt një shërbimi më të organizuar: hapësirat publike janë shumë më të pastra dhe kontejnerët të zbrazët. Sasia dyfish më e madhe e mbeturinave të mbledhura është një tregues i rëndësishëm i zgjerimit të mbulimit me këtë shërbim.
„Komuna i gjobit qytetarët që hedhin mbeturina, por kush do ta gjobisë atë për këtë që po ndodh në stacionin e transferimit? Ne jetojmë këtu dhe e durojmë kundërmimin. Le t’i pastrojnë mbeturinat dhe të marrin përgjegjësi“
Banor pranë stacionit të transferimit në fshatin Falisht
Sipas të dhënave që paraqet ndërmarrja, duke iu referuar Entit Shtetëror të Statistikës, në vitin 2023 në territorin e Komunës së Tetovës janë mbledhur rreth 17.000 tonë mbeturina. Për vitin 2024, kompania ka njoftuar publikisht se ka mbledhur më shumë se 34.000 tonë mbeturina komunale.
Mbledhja më e organizuar e mbeturinave kontribuon për një Tetovë më të pastër. Por këto shifra njëkohësisht ngrenë një pyetje për sistemin e mëparshëm: ku përfundonin mbeturinat që atëherë nuk përfshiheshin në shërbimin e rregullt?
Nga „Saubermacher“ thonë se vazhdojnë të përdorin një zgjidhje të përkohshme për transferimin e mbeturinave, sepse Komuna nuk u ka siguruar një stacion të përshtatshëm transferimi.
Nga ndërmarrja theksojnë se mbledhin mbeturina edhe në fshatrat e Sharrit që i përkasin Komunës së Tetovës. Për territoret e komunave të tjera nuk kanë kontratë, prandaj atje nuk mund ta marrin përsipër shërbimin.
Sipas tyre, qyteti dhe fshatrat nuk mund të trajtohen veçmas: nëse mbeturinat nuk mblidhen në fshatra, mund të përfundojnë në kontejnerët e qytetit ose në vende të palejuara. Por paralajmërojnë se në disa vendbanime malore niveli i arkëtimit të pagesave është i ulët ose nuk ka fare pagesa, gjë që rrezikon qëndrueshmërinë e shërbimit. Thonë se kur morën përsipër shërbimin, niveli i arkëtimit ishte rreth 17 % dhe se është përmirësuar, duke arritur mbi 40 %, por ende nuk mjafton për qëndrueshmërinë afatgjatë të ndërmarrjes. Bëjnë të ditur se kanë nisur procedura noteriale, por se përpiqen që përmes thirrjeve, përmirësimit të shërbimit dhe rikthimit të besimit t’i nxisin qytetarët të paguajnë.
Sa mbeturina krijon Pollogu dhe sa prej tyre përfundojnë në Rusino?
Sipas botimit më të ri të raportit „What a Waste 3.0“ të Bankës Botërore, në nivel global krijohen mesatarisht 0,88 kilogramë mbeturina komunale në ditë për banor. Sasitë ndryshojnë mes vendeve dhe rajoneve.
Nëse si orientim merret një përllogaritje e rrumbullakosur prej një kilogrami në ditë për banor, për Rajonin e Pollogut me rreth 250 mijë banorë rezultojnë afërsisht 90 mijë tonë mbeturina të krijuara në vit.
Nga ndërmarrja „Rusino Pollog“, e cila menaxhon deponinë rajonale Rusino, ku komunat e Pollogut i depozitojnë mbeturinat komunale, bëjnë të ditur se në të depozitohen rreth 80.000 tonë mbeturina në vit.
Sipas kësaj përllogaritjeje ilustruese, diferenca mes sasisë së mbeturinave që mund të jenë krijuar dhe asaj të depozituar është rreth 10 mijë tonë në vit.
„Problemi nuk zgjidhet vetëm duke pastruar sipërfaqen. Nëse pas disa javësh ajo kthehet sërish në të njëjtën gjendje, atëherë kemi trajtuar vetëm pasojën, jo shkakun“
Lorin Dervishi, „Rinia e zëshme“
Deponitë e egra të dokumentuara nëpër Pollog dëshmojnë se një pjesë e madhe e mbeturinave nga komunat e Pollogut, në vend që të përfundonin përmes një sistemi të organizuar në deponinë rajonale në Rusino të Gostivarit, kanë përfunduar në vende të tjera, duke krijuar male me mbeturina.
Rusino: makineri më të mira, por lëngu kullues ende pret një zgjidhje të plotë
Nga „Rusino Pollog“ bëjnë të ditur se blerja e makinerive të reja e ka përmirësuar ndjeshëm gjendjen në deponi dhe ka mundësuar menaxhim më efikas të mbeturinave.
Nga atje pohojnë se punojnë në përputhje me procedurat dhe kushtet e përcaktuara dhe se organizimi i përmirësuar krijon kushte më të mira për depozitimin e mbeturinave dhe zvogëlimin e ndikimit negativ në mjedisin jetësor.
Por përgjigjja tregon se çështje të rëndësishme infrastrukturore ende nuk janë zgjidhur plotësisht.
Për lëngun kullues nga mbeturinat, bëjnë të ditur se po ndërmarrin masa për grumbullimin e tij, ndërsa zgjidhja e plotë parashikohet në fazën e dytë të projektit.
„Faza e dytë praktikisht përfshin modernizimin, sistemin për grumbullimin dhe menaxhimin e gazit të deponisë, zgjidhjen e çështjes së lëngut kullues dhe rehabilitimin e deponisë ekzistuese“, deklaroi Sazan Horvati nga ndërmarrja „Rusino Pollog“.
Nga ndërmarrja shtojnë se Ministria e Mjedisit Jetësor ka shpallur një prokurim publik për një stacion transferimi në Tetovë, në kuadër të projektit rajonal të mbështetur nga BERZH-i dhe SECO. Sipas tyre, aty parashikohet edhe ndarja e mbeturinave, me qëllim zvogëlimin e sasisë që do të përfundojë në Rusino.
Mbeten pa përgjigje pyetjet se kur do të bëhet funksionale infrastruktura e paralajmëruar dhe çfarë do të bëhet deri atëherë me vendndodhjet problematike.
Paralajmërime për riciklim, ndërsa hedhja në deponi mbetet më e lirë
Blerim Sejdiu, kryetar i Këshillit për Zhvillimin e Rajonit Planor të Pollogut, përmend edhe investitorë të interesuar dhe mundësinë e ngritjes së një fabrike për riciklimin e mbeturinave të Rajonit të Pollogut.
Nga „Saubermacher“ thonë se planifikojnë një qendër riciklimi, por paralajmërojnë se çmimi i ulët i hedhjes në deponi e bën përpunimin më pak tërheqës nga ana ekonomike.
Si shembull përmendin një kosto prej rreth 17 eurosh për përpunimin e një toni, kundrejt rreth 11 eurosh për hedhjen në deponi. Nëse hedhja e mbeturinave në deponi është alternativa më e lirë, sistemi vështirë se krijon nxitje për të investuar në ndarjen dhe përpunimin e tyre, thonë nga „Saubermacher“.
Rruga që përshkuam, nga Nerashti deri në Rusino, na tregoi se në Pollog mbeturinat janë një problem serioz, për të cilin nevojitet një zgjidhje sistemore. Pa mbledhje të rregullt, stacione të përshtatshme transferimi, kontroll, infrastrukturë dhe përparim real në riciklim, deponitë e egra nuk do të zhduken, por vetëm do të ndryshojnë formën dhe vendndodhjen. Dhe ndërsa nxënësit marrin njohuri teorike për rëndësinë e një mjedisi jetësor të pastër, kur shohin nga dritarja e shkollës, atje i presin sërish grumbuj mbeturinash.
*Zoran Dimovski është gazetar
**Lejla Beqiri është aktiviste nga Tetova
*Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Institutit RESIS dhe e Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM) dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, të „Civica Mobilitas“ apo të organizatave që e zbatojnë atë.
